Darka e vetmuar Kurti e Krasniqi, pritet vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme

Nga Tomor Avdia
13 Maj 2024, 17:24 | Politikë

Darka e vetmuar Kurti e Krasniqi, pritet vendimi për zgjedhje të

Kryeministri e pret në darkë për të folur për përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit, por kryetari i PDK-së do të shkojë në takim për të folur për datën e zgjedhjeve të reja. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk do të marrin pjesë.

Shefi i Qeverisë të premten i ftoi të tre krerët e partive opozitare në një takim që është planifikuar të mbahet sot në 18:30 në një nga hotelet e Prishtinës.

Kryeministri Kurti i ftuar krerët e opozitës  në takim “për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”,  ashtu është theksuar në ftesë.

Kurse zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu tha se Krasniqi në këtë takim merr pjesë për të diskutuar mbi mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent, Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë", ka thënë Abdullahu.

Ndërsa Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e konsideroi të vonuar ftesën e Kurtit për takim, dhe në letrën që ia ktheu kryeministrit, e akuzoi atë se e ka shuar frymën e bashkëpunimit pozitë-opozitë,

“Në përgjigje të letrës suaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vjetësh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike të tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën që Abdixhiku ia ktheu Kurtit.

Ai përmendi se Kurti nuk i është përgjigjur asnjëherë gatishmërisë së LDK-së për “bashkëpunim reciprok”. Për çështjet legjislative, tha se mund të diskutojnë në Kryesinë e Kuvendit.

Ndërsa Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e refuzoi gjithashtu takimin me Kurtin. Tha se çështja për të cilën është thirrur, është kompetencë e shefave të grupeve parlamentare.

“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, shkroi Haradinaj në letrën dërguar Kurtit, të cilën e publikoi vetë në Facebook.

Haradinaj i tha Kurtit se “në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos