Një ditë pas ftesës që Albin Kurti bëri përmes një letre për liderët opozitarë në Prishtinë, për t'u takuar e për të diskutuar me ta në një darkë pune, në një përpjekje për të ulur tensionet, vijnë përgjigjet zyrtare.
I vetmi që i është përgjigjur pozitivisht ftesës për të diskutuar me kreun e qeverisë rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror, është lideri i PDK, Memli Krasniqi.
Nga Partia “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” thonë se po shqyrtohet pjesëmarrja nga ana e Ramush Haradinajt, ndërsa kryetari i LDK-së refuzon pjesëmarrjen. Përmes një letre të hapur, Lumir Abdixhiku ka listuar arsyet, duke e konsideruar së pari ftesën, të vonuar.
Madje shkon më tej kur akuzon Kurtin për mbjellje të polarizimit ndaj partive të tjera politike. Ndërsa më herët, Memli Krasniqi tha se pranon të flasë për hapat rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative, por pjesëmarrja do jetë në funksion të diskutimit për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Letra i është dërguar 3 liderëve të LDK, PDK e AAK, për t'u takuar për një darkë pune të hënën, në një nga hotelet e kryeqytetit Prishtinë. (A2 Televizion)