Ka nisur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Bashkë me Krasniqin është parë edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Kryeministri e pret në darkë për të folur për përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit, por mësohet se kryetari i PDK-së do të shkojë në takim për të folur për datën e zgjedhjeve të reja.
Pjesë e këtij takimi kanë refuzuar të jenë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku në një postim ka shkruar se agjenda legjislative e Kuvendit mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit mes përfaqësuesve politikë.
Ai e ka konsideruar ftesën e Kurtit si të vonuar dhe e akuzoi kryeministrin se e ka shuar frymën e bashkëpunimit pozitë-opozitë.
“Në përgjigje të letrës suaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vjetësh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike të tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën që Abdixhiku ia ktheu Kurtit.
Kurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nëse do të ishte temë e interesit.
“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, shkroi Haradinaj në letrën dërguar Kurtit, të cilën e publikoi vetë në Facebook. (A2 Televizion)