Është një ditë e re, por me rezultat të vjetër. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas 43 përpjekjeve, me seancën e kësaj të hënë që u përmbyll me dështim. Edhe njëherë nuk u mbështet kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë në seancë, ndërsa kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, sfidoi partitë e tjera me tërheqje nëse nuk triumfon që në herën e parë.
“Nëse unë me votim të fshehtë nuk i kam 61 vota unë kam thënë që tërhiqem, pra ky ka qenë kompromisi i parë që e kemi bërë, në fakt ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi por që është respektuar nga Vetëvendosje, dhe kompromisi i dytë është që le ta rrëzojmë bashkë komisionin për votimin e fshehtë dhe të merremi vesh për kryetarin dhe nënkryetarët”, deklaroi Albulena Haxhiu, deputete e LVV.
Asaj iu përgjigj nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
“Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim, vendoset një rrugë e cila e fryma kushtetuese e kërkon. Në Kosovë nuk ka fitues të mëdhenj, ka fitues të parë, fitues më me të drejtë dhe me të drejtë të fituar që të ulet dhe të punojë me njerëz, me parti politike, me deputetë, të gjejë rrugë, por këto nuk po i shohim ende, nuk po i shohim në asnjë situatë”, u shpreh Lutfi Haziri, deputet i LDK.
Më e ashpër ishte deputetja e koalicionit të kryesuar nga Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, që theksoi se me këtë krizë dhe bllokadë pa fund të kuvendit, ligjvënësit e rinj po rrezikojnë mandatin.
“Jemi të vetëdijshëm që pasojat juridike mund të pasojnë pas kalimit të këtij afati, nuk ka ndodhur ende që në një legjislaturë të merret mandati i gjithë deputetëve të kuvendit, por janë 120 deputetë të legjislaturës së nëntë, të cilëve të gjithëve mund të ju merret mandati, për të ju përcjellë pastaj me deputetë tjerë që janë në listë të gjitha partive politike. Kjo mund të jete njëra prej pasojave të mundshme”, Mimoza Kusari Lila, deputete e LVV.
“Shpërndarja e Kuvendit vjen kur dështon Kuvendi me zgjedh qeveri, jo kur dështon me konsistu vetveten sepse ky është problem i partisë së parë, nuk është problem as i individit as i deputetit, por është bukfalisht çështje e partisë së parë, liderit të partisë së parë me gjetë mënyrë dhe formë për të ndërtuar një marrëveshje politike. Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe deputet edhe ministër, edhe me bomba edhe pa bomba, nuk funksionon kjo situatë”, tha Lutfi Haziri, deputet i LDK
Nga Partia Demokratike e Kosovës i kërkuan kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, që të reflektojë dhe të kërkojë një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës, që pranohet edhe forcat e tjera parlamentare. (A2 Televizion)