Nezir Kraki, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se “Tirana zyrtare, sa herë që është marrë me Kosovën, i ka shkaktuar dëm Kosovës”.
“Tirana, këto vitet e fundit, është marrë me Kosovën pa u ftuar. Dhe sa herë që është marrë me Kosovën, na ka shkaktuar dëm si Kosovë, si shqiptarë në Ballkan. Është për t’u habitur zelli i Tiranës zyrtare, në këtë rast i kryeministrit Edi Rama, për mobilizim masiv sa herë ka ndodhur që një ide absurde dhe haptazi kundër Kosovës propozohej nga dikush. Vjen një ide për korrigjim të kufijve, “hajde, të shkojmë me vrap në Prishtinë”; vjen një ide për Asociacionin, del Tirana dhe propozon statut; vjen ideja e Gjykatës, vrap Tirana për të bërë gjykatën. Nëse Tirana tenton të ndihmojë Kosovën në këtë formë, më mirë mos të përzihet fare. Tirana nuk mundet të na sqarojë neve të Kosovës se kush është Serbia dhe kush është Vuçiçi. Është absurde të vijë dikush nga Tirana dhe të ma shpjegojë mua, që jam rritur me milicinë serbe te dera, se çfarë do të thotë të jesh i pushtuar”, tha Kraki në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Deputeti i Vetëvendosjes theksoi se nëse Shqipëria dëshiron të ndihmojë, duhet ta mbështesë Kosovën në të gjitha rastet.
“Nëse Shqipëria dëshiron të na ndihmojë, duhet të na qëndrojë pas, pavarësisht nëse e ka mirë apo keq Kosova. Çfarë është kjo mani që t’i biem në gjunjë kujtdo diplomati? Gjykata Speciale është një produkt i një zviceriani si Dick Marty, pjesë e Këshillit të Evropës, që ndoshta është organizata me më pak ndikim në botë. Dhe nga kjo të dëmton përpjekjen mbi njëshekullore. Është absurde të pranohen gjëra të tilla”, u shpreh Kraki. (A2 Televizion)