“Haga njollosi edhe Shqipërinë”, Nurellari: Duhet të mobilizohemi si shtet për mbrojtjen e UÇK-së

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 21:40 | Politikë

Politologu Adri Nurellari u shpreh se Haga njollosi jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me vendimin e saj, por edhe Republikën e Shqipërisë.

“Lufta e Kosovës ka qenë për mbijetesë, e pabarabartë, partizane. Është dëshmuar se bëhej fjalë për guerrilje dhe kjo është farsa e madhe e kësaj gjykate. Drama është se flitet për përgjegjësi kolektive, e cila njollos UÇK-në, njollos mbështetësit e saj, përfshi botën perëndimore, por edhe Shqipërinë, pasi u përmend disa herë se veprimtaritë kanë ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo na detyron si shtet të mobilizohemi jo vetëm për solidaritet me Kosovën, por edhe për faktin se kemi të bëjmë me njollosje të shtetit shqiptar”, tha Nurellari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë çështje. Më erdhi mirë që sot pati një deklaratë të përbashkët dhe kjo temë nuk u bë pjesë e debatit të përditshëm dhe politikës ditore. Pati mjaftueshëm përgjegjësi dhe shpresoj që atë mesazh të Kuvendit ta marrë qeveria, edhe ajo e Kosovës, dhe të dy qeveritë të lënë anash mllefet personale që kanë dy kryeministrat, dhe të merren vesh për kundërofensivën që duhet të ndërmarrin të dyja bashkë”, shtoi Nurellari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos