Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, sot vizitojnë Kosovën.
Zyrtari nga Brukseli njoftoi se qëllimi i tij është të përgatisë një takim në nivel kryenegociatorësh. Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin.
Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari europian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.
Ministri turk, ndërkohë, do të takohet me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla. Vizita e Fidan në Prishtinë vjen në një kohë kur Kosova kërkon të forcojë marrëdhëniet me Ankaranë, të marrë armatime, por gjithashtu vjen pasi inteligjenca e Turqisë ndaloi një shtetas të Kosovës me dyshimin se drejtonte operacionet e shpërndarjes së parave për veprime spiunazhi në ndihmë të Mossad-it izraelit. (A2 Televizion)