Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar një takim të ri mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, në muajin dhjetor.
Por, përpjekja e tij për të ringjallur dialogun në muajin e fundit të mandatit të tij vlerësohet si jo produktive dhe jo e dobishme si nga përfaqësuesit e opozitës, ashtu edhe të qeverisë, shkruan A2 CNN.
Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka vërejtur se suksesi në dialog ka qenë i varur me presionin që i është bërë njërës palë.
Kurse kryetari i grupit parlamentar tē LDK-së, Arben Gashi, thotë se aktualisht dialogu duket i vdekur.
Kurse shumë më i ashpër sa i përket dialogut dhe mënyrës se si është drejtuar politika e jashtme nga krerët e shtetit, ka qenë kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Deklaratat se nuk mund t’i besojmë Bashkimit Evropian unë as nuk i kuptoj dhe as nuk i mirëkuptoj. Si mundet një institucion si Presidenca të thotë se nuk i beson BE-së? Si nuk i besohet një institucioni ku dëshiron të anëtarësohesh?”, deklaroi Tahiri. (A2 Televizion)