“Do heqim trupat e NATO-s nëse zhbëni Specialen”, Robelli: Si ambasadorët e huaj kërcënuan deputetët e PDK

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 21:56 | Politikë

Gazetari Enver Robelli, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, zbuloi se ambasadorët e huaj kërcënuan me heqjen e trupave të NATO-s nga Kosova nëse Parlamenti do të zhbënte Gjykatën Speciale.

“Ka pasur një përpjekje nga Partia Demokratike e Kosovës në Parlamentin e Kosovës për ta zhbërë Gjykatën Speciale. Unë e di që atë natë ambasadorët e shteteve të fuqishme kanë shkuar fizikisht në Parlamentin e Kosovës dhe u kanë thënë deputetëve të Kosovës që nëse e bëni këtë, atëherë kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme. Dhe më kujtohet një bisedë me një deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili në atë kohë pati shpjeguar situatën që ka ndodhur në Parlament. Tha: "Na futën në një dhomë dhe na thanë që po e bëtë, do t'i tërheqim trupat e NATO-s nga Kosova”. Unë nuk e di a do të ndodhte kjo, po unë po ju shpjegoj situatën me fakte siç ka qenë”, tha Robelli.

“Në vitin 2019 ka pasur një deklaratë shumë të ashpër të ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo, domethënë i administratës Trump, i cili e ka paralajmëruar Kosovën që mos të pengojë punën e gjykatës. Për fat të keq, Kosova nuk ka pasur fuqinë e nevojshme që vetë të ballafaqohet me këtë kapitull. Dhe ky është problemi nga kuptimi i rezonit shtetëror. Ne të gjithë mund të themi do të ishte jashtëzakonisht mirë që njerëzit të dalin të pafajshëm nga kuptimi i rezonit shtetëror. Por, gjykatësit nuk mendojnë kështu. Gjykatësit nuk mendojnë nga rezoni shtetëror. Gjykatësi dhe gjykata është themeluar për viktima. Edhe tani viktimat ekzistojnë. A ka pasur linjë komanduese? A ka pasur linjë komanduese që të thuash se zoti Thaçi ka dhënë urdhër? Nuk e besoj sepse UÇK-ja ka qenë një trupë e paorganizuar”, shtoi gazetari Enver Robelli.

“Presidenti tha në Këshillin e Sigurimit se nuk e përjashton mundësinë që ndonjë figurë e UÇK-së të ketë keqpërdorur uniformën e UÇK-së. Kjo mund të ketë ndodhur, por a do të thotë kjo që përgjegjës duhet të jetë hierarkia? Nuk e di. Domethënë kjo do të mbetet për t'u dëshmuar në proces gjyqësor. E dyta, sa i përket procesit gjyqësor është jashtëzakonisht vështirë të jepet një mendim i kualifikuar sepse shumë dëshmitarë që kanë dëshmuar këtë e kanë bërë prapa dyerve të mbyllura. Dhe natyrisht që kjo e vështirëson analizën tonë që si ka mbarëvajtur procesi, si ka qenë procesi, sa kanë qenë serioze akuzat, se aty mund të ketë edhe mashtrues”, shtoi më tej Enver Robelli.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos