Lëvizja Vetëvendosje ka vijuar replikat me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Në një tjetër reagim të fundit po sot, një ditë para mbajtjes së protestës në mbështetje të UÇK-së në Tiranë, Lëvizja Vetëvendosje ngre disa pikëpyetje ndaj kryeministri Rama. Ajo kërkon nga kryeministri shqiptar të deklarojë nëse e ka mbështetur Gjykatën Speciale dhe nëse Rama ka ngritur shqetësimet e padrejtësisë që po i bëhen Kosovës në Hagë, në OKB, në Këshillin e Evropës, në OSBE apo në NATO.
“Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më konkretisht ai mund të tregojë:
1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyrë ai themelimin e Gjykatës Speciale?
2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?
3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik.
Lëvizja Vetëvendosje
përmes zëdhënësit Arlind Manxhuka”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. (A2 Televizion)