Procesi i numërimit në Kosovë drejt përfundimit, rezultatet e verifikuara në mbi 3 mijë kuti votimi

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 11:58 | Politikë

Procesi i numërimit në Kosovë drejt përfundimit, rezultatet

Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave nga zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në Kosovë po ecën me ritme të shpejta. Sipas të dhënave nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, të enjten, janë verifikuar rezultatet për 1,531 vendvotime për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe për 1,494 vendvotime për subjektet politike që garuan në kuvendet komunale.

Po nga këto 1,494 vendvotime, është përmbyllur edhe numërimi i votave për kandidatët individualë që garuan për anëtarë të kuvendeve komunale. Në total, nga 5,142 kuti votimi që përfshijnë të dyja proceset zgjedhore, deri tani janë procesuar 3,025 kuti, shkruan A2 CNN.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se aktivitetet e numërimit dhe verifikimit janë përmbyllur plotësisht në 13 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog dhe Skenderaj.

Në Qendrat Komunale të Numërimit po zhvillohen tre aktivitete kryesore: verifikimi i rezultateve për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike për kuvendet komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për këto kuvende. Procesi pritet të përfundojë brenda ditëve në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos