Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur së fundmi se vendi i tij duhet të jetë i gatshëm për luftë, pasi sulme si ato të Banjskës mund të përsëriten shumë shpejt.
Gjatë një interviste për mediat ukrainase, Bislimi shtoi se sulmet hibride tashmë janë një realitet dhe për këtë arsye duhen marrë masat.
“Ne duhet të jemi të gatshëm për luftë. Por, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi jemi të mbrojtur nga trupat e KFOR-it. Megjithatë, siç tregoi shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të niset kundër nesh dhe ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, deklaroi Bislimi.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha për të njëjtën media se sulmi në Banjskë mund të kishte shkaktuar më tepër viktima. Sipas tij, trupat serbe në këtë sulm kishin si objektiv pushtimin e veriut.
“Kjo situatë tregoi se jetët e të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht nga etnia, janë të rëndësishme për ne. Sulmi ndaj manastirit mund të kishte çuar në viktima të shumta civile, kështu që ne duhet ta braktisnim atë,” tha Maqedonci.
(A2 Televizion)