Kangjella hekuri, kordon policie dhe dyer të kyçura. Kjo ishte barrikada që gjetën opozitarët te Bashkia e Tiranës në protestën e katërt për largimin e Erion Veliajt.
Poshtë zyrës së kryebashkiakut të majtë, kundërshtarët e tij politikë i kërkuan SPAK të hetojë edhe Veliajn për dosjen 5D, çështje për të cilën drejtësia ka çuar pas hekurave disa ish-zyrtarë të institucionit.
Skenari nuk ndryshoi, pas fjalimeve u hodhën fruta-perime dhe mjete pirroteknike ndaj godinës së bashkisë së kryeqytetit.
Këshilltarët tentuan të hyjnë në bashki, duke shfrytëzuar pozicionin sinë një ditë normale pune, një skenar i parë edhe në dyert e Kuvendit vjeshtën e kaluar. Po ashtu, këshilltarët e opozitës tentuan edhe hyrjen tjetër të bashkisë. Por pa sukses përballë policisë. I vendosur edhe nën presionin e mbështetësve që kërkonin çarjen e kordonit të policisë, Tedi Blushi i partisë së Ilir Metës arriti që me një flamur në dorë të kalonte vetëm barrierën metalike.
Në një dyluftim me policinë u hoqën kangjellat e hekurit, por të zgjedhurit vendore të PD dhe PL, hezituan të shkonin më tej.
Pas 2 orësh protesta u mbyll duke ja lënë kështu policisë vendin e izoluar si “skenë krimi”. Kjo protestë policisë i solli në dorë edhe dy të kërkuar nga protesta e javës së shkuar që hodhën Molotov ndaj bashkisë. Ata u kapën para protestës, sipas policisë edhe këtë herë me mjete piroteknike. (A2 Televizion)