Dështon miratimi i ujdive ndërkombëtare, përplasje dhe pajtim mes opozitës dhe shumicës në kuvend

Nga Xhevahir Qardaku
25 Prill 2024, 20:13 | Politikë

Një seancë me shumë zhvillime ishte kjo e mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, konfirmoi para kolegëve se BE është shumë pranë heqjes së masave ndëshkuese.

“Jemi fare pranë vendimit për largimin e këtyre masave të vendosura padrejtësisht ndaj Kosovës 11 muaj më parë. U deshën edhe 11 muaj të tjerë për ta kuptuar ju dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiçi. Dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia”, tha Arbëreshë Kryeziu, deputete e VV.

Deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, njëkohësisht nënkryetare e kuvendit, falenderoi opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ajo tha se “ky sukses historik i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë”. Por fryma pozitive zgjati vetëm kaq pak, pasi ndasitë e mëdha u hasën kur u diskutua raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Departamenti Amerikan i Shtetit ka prezantuar një raport i cili ka të gjetura mjaft shqetësuese për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, një përshkrim ku tashmë kemi një korrupsion serioz në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ku përshkruhet numri i saktë i ministrave të cilët janë të përfshirë në afera korruptive”, tha Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar PDK.

“Ne duhet të flasim sot për censurën dhe kufizimet e mediave, raporti thotë ‘Autoritetet kufizuan lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacionin në mënyrë të drejtë”, tha Arben Gashi, shef i grupit parlamentar LDK.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë”, tha Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar AAK.

“raporti ka gjetje shumë interesante, që ja vlen të bëhen edhe krahasime me ato raporte që janë publikuar më herët dhe aty mund të vërehet progresi ose dështimi. Jo mbi vënien e fokusit të një paragrafi, deklaratë ose një emër që mendohet. Prandaj, duke e ditur kompleksitetin, rëndësinë dhe peshën e këtij raporti ne si grup parlamentar propozojmë që të caktohet një seancë të veçantë ku të gjithë do të jemi të përgatitur që të diskutojmë”, u shpreh Mimoza Kusari Lila, shefe i grupit parlamentar VV.

Përplasjet vazhduan edhe gjatë shqyrtimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk u votuan pasi në sallë nuk kishte deputetë mjaftueshëm për shkak të largimit të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos