Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i “ulë tensionet” në vend, pas takimeve që pati me udhëheqësit e vendit të mërkurën në Prishtinë.
"Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet në vend, dhe gjithashtu t’i përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes", shkroi ajo në llogarinë e vet në X.
Nuk është e qartë se çfarë tensioneve po i referohej von der Leyen në postimin e saj në X, por autoritetet kosovare janë kritikuar rishtazi nga BE-ja për mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
BE-ja i kishte bërë thirrje në shtator Qeverisë në detyrë dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës të "përmbaheshin nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Von der Leyen u prit në takime veç e veç nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ajo nuk mbajti konferenë për shtyp në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera në rajon.
Ndërkohë, Osmani tha në Facebook pas takimit se me shefen e KE-së bisedoi për çështjen e zbatimit të Planit të Rritjes, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, tri vjet pasi bëri kërkesë për t'iu bashkuar bllokut evropian.
Zyra e kryeministrit tha se Kurti ia ritheksoi von der Leyenit nevojën që Komisioni Evropian ta “dorëzojë sa më parë” pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të presidentes von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin tonë në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike”, tha zyra e Kurtit në një komunikatë.
Gjithashtu, Kosova vazhdon të përballet me masa ndëshkuese evropiane, të cilat blloku i kishte vendosur më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, Kosova nuk ka mundur të pranojë të holla për shkak të mungesës së një Kuvendi pas zgjedhjeve të shkurtit.
Por, tani që Kosova e themeloi Kuvendin e ri javën e kaluar, ajo mund ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme për të filluar t’i pranojë mjetet nga ky plan.
Von der Leyen u prit nga Kurti në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Më 8 gusht të këtij viti, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e kishte informuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se zyrtarë të bllokut evropianë nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Kosova është me ekzekutiv në detyrë pasi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kurti është mandatuar nga Osmani për të formuar qeverinë e re dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendin përbërjen e re qeveritare.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota dhe Kurti ka thënë se do të zhvillojë diskutime gjatë ditëve në vijim për formimin e shumicës, pasi në bazë të rezultatit zgjedhor, ai nuk mund të qeverisë pa një partner koalicioni.
Kurti foli me shefen e KE-së edhe për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të dielën e kaluar, “të cilat ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane”.
“Theksoi rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, ajo njoftoi se Kurti ia dorëzoi asaj tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç, Bujqësi, Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industri të Mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.
Kurti e bëri këtë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway”, sipas zyrës së tij.
Vizita e von der Leyen në Kosovë u zhvillua në kuadër të një turneu ballkanik. Ajo paraprakisht vizitoi Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën. Ndërkaq, para se të nisej për në Kosovë, ajo zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Ndërkaq, turneun në rajonin e Ballkanit Perëndimor do ta përmbyllë po sot në Maqedoni të Veriut ku do të takohet me krerët shtetërorë.
Kjo ishte vizita e pestë e von der Leyen në Kosovë që nga viti 2021./REL (A2 Televizion)