Vuçiç flet për kampin rus të luftës në Serbi, zbutja e lideres së KE në Beograd, nuk përmend njohjen e Kosovës

Nga Xhevahir Qardaku
15 Tetor 2025, 15:37 | Politikë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vizitoi Serbinë në turin e saj Ballkanik. Në takimin me dyer të mbyllura me presidentin Aleksandër Vuçiç, diskutoi për dialogun Prishtinë-Beograd, por në konferencën për shtyp, nuk e përmendi as me emër Kosovën. Nga ana tjetër, Vuçiç konfirmoi se gjatë bisedës me Von der Leyen ka diskutuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Një pjesë e bisedës kuptohet që ishte për dialogun midis Beogradit dhe Prishtines, dhe besoj se do të jetë e mundur që ai të vazhdojë me një ton konstruktiv. Nuk do ta kritikoj palën e Prishtinës tani, por do të them vetëm se duhen dy veta për të kërcyer tango”, tha Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë, shkruan A2 CNN.

Presidentja e Komisionit Europian, pavarësisht kritikave të forta dhe kushteve të vendosura nga Brukseli për Beogradin, foli për një progres të madh të Serbisë në procesin e anëtarësimit, duke pretenduar se njehsimi i politikës së jashtme ka prekur nivelin 61 për qind. Zyrtarja e lartë kërkoi që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë, të bëjë reforma në kodin zgjedhor dhe lirinë e medias. Për ta larguar nga ndikimi i Moskës, von der Leyen, njoftoi këtë vendim: “Po e lidhim Serbinë me tregun e energjisë të BE-së. Kjo është garancia e vërtetë që familjet e Serbisë do të jenë të sigurta dhe të ngrohta në dimër. Gjithashtu e ftuam Serbinë të bashkohet mekanizmin e përbashkët të prokurimit të gazit të BE-së, sepse së bashku po e përdorim fuqinë tonë kolektive të tregut për të siguruar çmime më të mira të energjisë.”

Megjithatë, Rusia ka hyrë thellë në shoqërinë serbe. Këtë e konfirmoi në një farë mënyrë edhe vetë presidenti Vuçiç, ndërsa njoftoi arrestimin e 3 shtetasve rusë të përfshirë në kampin luftarak në territorin e Serbisë pranë Loznicës. “Hetimet po vazhdojnë”, nënvizoi ai duke mos pranuar në këtë fazë, një përfshirje të shërbimeve të spiunazhit rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos