“Edhe të mërkurën dështon seanca”, eksperti konfirmon: VV shkeli rregulloren e kuvendit sot

Nga A2 CNN
21 Prill 2025, 20:30 | Politikë

“Edhe të mërkurën dështon seanca”, eksperti

Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur procedurën parlamentare me mos hedhjen në votim të kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës të hënën.

Kështu thotë hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli. Ai thotë për KosovaPress se situata e njëjtë mund të përsëritet edhe të mërkurën.

“Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast zotëri Konjufca si përfaqësues i saj, në këtë rast shkeli rregulloren dhe obligimin që ka nga Gjykata Kushtetuese që të propozojë një kandidat, ndonëse u tha që emri është i njëjtë. Mirëpo mos hedhja e tij në votim por kërkesa për konsulta shtesë në aspektin procedural tregon se nuk është konsumuar e drejta dhe procedura siç parashihet me rregullore por edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

Ka pasur shkelje në mos ofrimin e emrit dhe mos hedhjen në votim të tij, por edhe kërkesa për konsulta shtesë është arsyetuar në këtë rast edhe nga vet institucionet në rastet të tjera të mëhershme. Në rastet e tilla edhe të mërkurën LVV-ja mund që të mos propozojë fare një emër dhe rrjedhimisht seanca mund të shtyhet në mënyrë të pafundme pasi s’ka asnjë afat procedural. Për bindjen tonë kjo është situata më e komplikuar juridike”, shprehet Cakolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos