Kuvendi i Kosovës mbetet në ngërç institucional pasi edhe në raundin e dytë të votimit, Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryetares së Kuvendit, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.
Në të dyja rastet, Haxhiu mori vetëm 57 vota pro, ndërkohë që për zgjedhjen nevojiten së paku 61. Si rrjedhojë, seanca u ndërpre dhe pritet të rifillojë pas 48 orësh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka vetëm 57 vota dhe nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partive opozitare. Sakaq nga komunitetet jo-shumicë deputeti Veton Berisha votoi pro kandidaturës së Haxhiut, ndërsa Duda Balje nuk mori pjesë fare në votim.
Edhe Nisma Socialdemokrate me të cilët mendohej se Albin Kurti do të bënte koalicion abstenoi votimin, ndërsa LDK-ja votoi kundër dhe PDK-ja, në anën tjetër, bojkotoi tërësisht procesin.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh pas seancës se votimi dëshmoi qartë pse ka ndodhur bllokada institucionale. Ai përgëzoi qëndrimin e deputetëve të LDK-së dhe theksoi se partia e tij do të vazhdojë të mbrojë Kushtetutën dhe rendin kushtetues.
“Perdet sot ranë! Numrat u panë. Me to dhe arsyet e bllokimit institucional deri tash”, shkroi Abdixhiku.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi LVV-në për propozim të qëllimshëm të një kandidate që nuk kalon. “E dinë që nuk kanë numrat. Ishin 52, u bënë 57, por nuk besoj që bëhen 61”, tha ai, duke aluduar se Vetëvendosje ka inskenuar një krizë për interesa politike.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj i AAK-së deklaroi se partia e tij do të mbështeste vetëm kandidatë të tjerë nga LVV si Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi, por jo Albulena Haxhiun.
Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, megjithatë, e vlerësoi zhvillimin si një hap përpara, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të institucioneve funksionale dhe konstituimit të plotë të Kuvendit. Ai bëri thirrje për bashkëpunim politik në funksion të stabilitetit institucional dhe interesit qytetar.
“Çdo fillim i ka vështirësitë e veta. Sot është lajm i mirë, me vet faktin se Kosova ka parlamentin dhe ka deputetët. Besoj se shumë shpejt do të përfundojë edhe konstituimi i Kuvendit dhe votimi i qeverisë”, u shpreh Limaj.
Me Kuvendin ende të pakonstituuar dhe pa një kryetar, Kosova përballet me sfida të mëdha politike që kërkojnë zgjidhje urgjente për të garantuar funksionimin normal të institucioneve. (A2 Televizion)