"Do të vij në Kosovë", Vjosa Osmani kujton premtimin e Papa Françeskut: Kishte shumë dashuri për vendet e vogla

Nga A2 CNN
21 Prill 2025, 11:28 | Politikë

"Do të vij në Kosovë", Vjosa Osmani kujton premtimin e

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pas lajmit se Papa Françesku ndërroi jetë. Kreu i Shtetit të Kosovës kujtoi premtimin që i bëri Ati i Shenjtë gjatë audiencës që pati me të në Selinë e Shenjtë, shkruan A2.

"Do të vij në Kosovë", ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim", shkruan Osmani në Facebook.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

"Do të vij në Kosovë", ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim, por do të kujtohet si një udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi. Papa Françesku do të kujtohet si Papa i paqes, i të varfërve dhe i dialogut ndërfetar, një figurë që i dha forcë fjalës së dhembshurisë dhe e jetoi misionin e tij me guxim e përkushtim. Populli i Kosovës do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta dhe kujdesin e vazhdueshëm që Papa Françesku tregoi ndaj nesh. Ai ishte një zë që i dha rëndësi vuajtjes së të pafajshmëve dhe shpresës për një të ardhme më të ndritur. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Mendimet dhe lutjet tona janë me besimtarët katolikë në mbarë botën. U prehtë në paqe shpirti i Shenjtërisë së Tij! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos