“Edhe Trump do vepronte si Kurti”, bashkëpuntori i Clinton: Serbia pengon dialogun

Nga Ideal Gola
25 Korrik 2025, 20:19 | Politikë

Christopher Hyland, bashkëpunëtori i afërt i ish-Presidentit amerikan Bill Clinton, deklaroi nga Prishtina se Donald Trump, nëse do të ishte kryeministër i Kosovës, do të vepronte njësoj sikurse Albin Kurti. 

I pyetur nga A2 CNN nëse ka pasur ndonjë cenim të raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pasi Kurti ishte kritikuar për këtë gjë, Hyland tha se mund të jetë “ndonjë keqkuptim i përkohshëm”: “Unë gjithmonë kam thënë, dhe do ta them edhe një herë, unë besoj se nëse Presidenti Trump do të ishte kryeministër i Kosovës, ai do të ndiqte pothuajse saktësisht të njëjtat politika, sigurisht nga një këndvështrim i marrëdhënieve të jashtme. Dhe unë mendoj se ne do të vazhdojmë të njohim se Kosova do të jetë dhe duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e NATO-s. Dhe për këtë arsye unë besoj se çfarëdo keqkuptimi i përkohshëm që mund të ketë në këtë moment është vetëm kaq - i përkohshëm”.

Hyland, që ka qenë edhe udhëheqës i fushatës presidenciale të Bill Clinton, u ndal edhe tek dialogu me Serbinë. Ai fajësoi Beogradin zyrtar se po pengon përparimin e dialogut pasi në këtë mënyrë përfiton vetëm Serbia.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të lejojnë një demokraci të pjekur, konkretisht Kosovën, të ecë sa më shumë të jetë e mundur drejt një marrëveshjeje me Serbinë. Por jini të sigurt për një gjë: Serbia po e pengon në mënyrë të vazhdueshme këtë përparim sepse ata përfitojnë shumë kur nuk ka përparim. Ata marrin të gjitha llojet e shpërblimeve nga Bashkimi Evropian, nga Rusia, nga Kina, nga çdo forcë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Përderisa Serbia mban gjallë këtë përçarje, nuk do të ketë përparim, por do të ketë përfitime për Serbinë”, u shpreh Hyland.

Hyland këto deklarata i bëri pas takimit që pati me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të cilin u tha se është diskutuar për zhvillimet dhe temat aktuale në vend, për potencialin dhe përparësitë e vendit për investitorë të huaj, si dhe për rëndësinë e raporteve të veçanta dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos