"Po hyni në territor të pashkelur!" Ambasadorët në Kosovë: Klasa politike po zhgënjen popullin

Nga Ideal Gola
25 Korrik 2025, 20:11 | Politikë

Ambasadorët e akredituar në Kosovë u rikthyen në Kuvend me shpresën se do të bëheshin dëshmitarë të konstituimit të Parlamentit.

Por shpresa shpejt u kthye në zhgënjim ku seanca u ndërpre menjëherë dhe vijoi avazi i njëjtë.

Ambasadorët shprehën zhgënjimin me situatën duke i kërkuar partive që të gjejnë një zgjidhje.

“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, u shpreh ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Përmes një postimi në rrjete sociale, edhe ambasadori britanik Jonathan Hargreaves kërkoi nga partitë që të gjejnë një rrugëdalje deri të shtunën para se të hyjë në fuqi masa e Kushtetueses.

“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se nesër të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime vendimtare dhe ndërkombëtare, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe Jonathan Hargreaves.

Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ndër të tjera mungesa e Kuvendit po mban peng edhe miratimin e një marrëveshjeje dhe disbursimin e mjeteve të Bashkimit Europian të destinuara për Kosovën nga Plani i Rritjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos