Eliminon veten e Osmanin? Konjufca: Kandidati konsensual do të ishte nga familja Jashari

Nga Ideal Gola
25 Shkurt 2026, 15:06 | Politikë

Sinjali i parë i qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet presidenten aktuale Vjosa Osmani për një tjetër mandat në krye të shtetit erdhi të mërkurën.

Zëvendësi i Albin Kurtit në Qeveri dhe parti, Glauk Konjufca deklaroi se deri më tani kandidat me konsensual shihet një nga familja Jashari.

Zërat për një kandidat nga kjo familje u shtuan pas vizitës të kryeministrit Kurti të dielën në Prekaz në orët e vona.

“Ajo çfarë do të shkaktonte automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes Jashari. A e pranojnë ata? Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe të merrni përgjigjen”, tha Konjufca, përcjell A2 CNN.

Zvënedëskryeministri, njëherazi ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, këto deklarata i bëri pas takimit me homologen shqiptare, Elisa Spiropali.

Paraprakisht, Konjufca eliminoi vetën nga gara për president duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të mbështesë për muri opozitën duke i dhënë një emër partiak.

“A jam unë opsion? Jo, unë mendoj që nuk është folur, nuk është shtruar në këtë kontekst. Po ta kishte qasjen mazhoranca që do ta propozojë një president të Lëvizjes Vetëvendosje, unë mendoj që ajo është pikërisht që duam ta shmangim. Kjo është ta vësh opozitën para aktit të kryer d.m.th ky është dhe duhet ta votoni”, tha zv.kryeministri.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një tjetër mandat por deri më tani nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme as për të zyrtarizuar kandidaturën për të cilën duhen 30 firma deputetësh.

Kuvendit i kanë mbetur edhe një javë kohë për të zgjedhur presidentin e ri, ndryshe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos