Çfarë vjen pas vendimit të Hagës? Rinia më e guximshme se elita politike e ajo intelektuale

Nga Leonora Kolukaj
28 Shtator 2026, 18:15 | Politikë

16 shtatori shënoi një nga ditët më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë.

Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Vendimi solli reagime të forta në Kosovë, protesta dhe një debat që tashmë shkon përtej sallës së gjyqit.

Por çfarë nënkupton ky aktgjykim për Kosovën, për drejtësinë dhe për një gjeneratë që luftën e njeh kryesisht përmes historisë?

Për Çlirim Hazirin dhe shumë të tjerë, këto protesta nuk janë vetëm reagim ndaj një aktgjykimi.

Ai është djali i Xhavit Hazirit, i cili është i zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë. Për vite me radhë, familja e tij ka pritur një përgjigje për fatin e tij.

Sot, Çlirimi është në krye të protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, duke kërkuar drejtësi dhe duke thënë se zëri i tij dhe i protestuesve duhet të dëgjohet.

 “Një ditë para vendimit, unë i kam ftuar të gjithë qytetarët që të mblidhemi në shesh e të presim bashkë atë natë, pastaj nesër të festojmë në sheshin ‘Skënderbeu’ triumfin e UÇK-së në raport me akuzat e fabrikuara në Serbi. Mirëpo ndodhi e kundërta. Edhe kur u dënuan UÇK-ja, kur u dënua pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, është krejtësisht e natyrshme që nuk mund ta pranojmë dhe nuk kemi rrugë tjetër përveç organizimit të protestave.”, tha Çlirim Hazirin,  organizator i protestave

 “Mendoj që populli shqiptar po tregon çdo ditë e çdo natë që është në mbështetje të UÇK-së. Po tregon çdo ditë e çdo natë që UÇK-në, si në vitin ’98-’99, si në këtë kohë të vështirë ku po tentohet të njolloset ajo pjesë e jona, e shtetësisë sonë, e ka në zemër, e mbështet në çdo formë. Sa i përket mbështetjes institucionale, mendoj që e ka pasur deri në një pikë, por kjo humbje e madhe tregon që nuk kemi arritur të triumfojmë dhe na nevojitet më shumë angazhim.”, shtoi ai

“Historinë me babën tem e kam qe 35 vjet, jam djali i Xhavitit. Realisht, deri kur ka ardhë një pikë ku është rreziku të njolloset gjaku i dëshmorëve, unë nuk kam folë për këtë pjesë. Unë kam folë në një marsh të ‘Liria ka emër’, për shkak që e kam ndje që po tentohet të ndërtohet një proces i cili tenton të na njollosë gjakun e atyre dëshmorëve, të cilët e dhanë për lirinë e Kosovës.”, tha Haziri.

 “Baba im, po të ishte gjallë në mesin tonë, edhe gjithë dëshmorët, po të ishin, kishin me qenë në listë të Gjykatës Speciale. Kjo na tregon që Gjykata Speciale na ka thënë që ne prindërit i kemi pasë terroristë, kriminelë, e janë kriminelë të vrarë për Gjykatën Speciale. E për ne, për popullin e Kosovës, nuk ka me qenë kështu. Për këtë rini, që unë po e them, i vetmi qetësim që e gjejmë pas atij vendimi është rinia e Kosovës, e cila UÇK-në e ka tatuazh në zemër e nuk do ta harrojë asnjëherë.”

 “Kur jau shoh djemtë, më dhimbsen se prindërit e tyre nuk ua ka marrë lufta, janë përgatitë me jetu me ta. Normal, më dhimbsen fëmijët, më dhimbsen shumë, se prindërit e tyre i kanë shpëtu luftës, nuk janë ata si unë e të tjerët, se na i ka marrë prindërit lufta. Por po i merr një padrejtësi mizore, një gjykatë që është ndërtu mbi mundin e sakrificën e baballarëve të tyre. Gjithsesi, edhe mbi gjakun e baballarëve tanë.”, përfundoi ai.

Por përtej reagimeve dhe emocioneve që solli aktgjykimi, mbetet një pyetje thelbësore: çfarë ka vendosur konkretisht gjykata?

Të katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, ndërsa u liruan nga gjashtë pika të akuzës për krime kundër njerëzimit.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Aktgjykimi ka hyrë tashmë edhe në debatin politik në Kosovë.

Përplasjet rreth mënyrës se si duhet të reagohet ndaj vendimit, rolit të institucioneve dhe së ardhmes së Gjykatës Speciale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar situatën politike në vend.

Për një pjesë të madhe të brezit të ri, lufta e Kosovës është një ngjarje që e kanë njohur përmes familjes, shkollës dhe historisë.

Por sot, për këtë brez, aktgjykimi i Hagës po bëhet pjesë e një historie që ende po shkruhet.

 “Unë nuk kam arritë me përjetu luftën, kam arritë me dëgju shumë fjalë për të. E di që është e pastër, e di që secili qytetar i Kosovës është çu në këmbë për të. Besoj që është padrejtësi shumë e madhe. Ne si popull po mundohemi me ngritë zërin tonë, për me u mundu me deklaru atë të pastër, ndaj njerëzve që nuk e konsiderojnë atë. Aktgjykimin e kemi pritur me padurim, por nuk e kemi pritur atë vendim. Ka qenë një dëshpërim shumë i madh. Gjykimi na ka demoralizuar...”, tha studentja Dorina Hasanaj.

 “UÇK-ja është thirrje e popullit për unitet kombëtar, për shtyrje të kauzave përpara dhe sinonim i çlirimit të Kosovës.”, tha Studenti Flon Kastrati.

“Gjenerata jonë, që ka lindur pas luftës, besoj historitë e para i ka dëgjuar së pari në familje, te prindërit ose gjyshërit. Aty kanë filluar edhe rrëfimet e para për UÇK-në. Ne nuk kemi mujt me i përjetu, po secili e ka kriju një imazh në mendjen tonë se qysh ka mundur të jetë koha atëherë.”, shtoi ai.

“Dënimi nuk i ka pëlqyer askujt. Ne, studentët, kemi bërë thirrje për unitet, si prej fuqive politike, si prej njerëzve. Nuk është koha për ndarje.”, theskoi Kastrati.

Ndërsa në Hagë beteja juridike vazhdon, në Kosovë ende nuk ka një president të zgjedhur.

Një vendim historik, një proces apeli përpara dhe një ngërç politik që vazhdon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos