Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezulloi numërimin e votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës për shkak te festës së Vitit të Ri.
Deri mesditën e së mërkurës, procesi i verifikimit të votave për subjektet politike dhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë ka përfunduar në 27 komuna të Republikës së Kosovës. Të marten, Qendrat Komunale të Numërimit do të rikthehen për të vijuar punën në 11 komuna të tjera.
Ky proces është realizuar në masën rreth 75% dhe do të vijojë pasditen e së enjtes në komunat si Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë, shkruan A2.
Paralelisht, KQZ ka vazhduar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit përmes postës. Duke qenë se ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, KQZ ende nuk ka të dhëna të sakta se sa prej 58 mijë votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.
Valmir Elezi i KQZ deklaroi: “Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27 600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”.
Këtë javë pritet të nisë edhe numërimi i votave me postë për ato që janë tërhequr, ndërsa edhe i atyre me kusht dhe personave me nevoja të veçanta: “Të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që gjatë kësaj jave të fillojmë me numërimin e votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës, pra atyre me postë, të paktën atyre që deri më tani janë vlerësuar nga shërbimi votues, dhe pastaj sigurisht edhe të fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe votimi të perosnave me nevoja të veçanta”.
Nga numërimi i deritashëm i votave, Albin Kurti mbetet kandidati më i votuar, ndërsa 9 nga 10 kandidatët më të votuar në këto zgjedhje i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe një tjetër nga PDK. (A2 Televizion)