“Europa duhet të përgatitet për konflikte të tjera”. Kështu është shprehur ministrja e Punëve tw Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë për Associated Press. Gërvalla thekson se Rusia duhet ta humbasë luftën në mënyrë që konflikti të mos përhapet në Europë.
Sipas saj, Kosova e mbështet në mënyrë të pakushtëzuar Ukrainën, edhe pse kjo e fundit nuk e njeh akoma juridikisht si shtet të pavarur
“Ukraina nuk e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet, por ne vërtet besojmë se e dimë saktësisht se çfarë po kalon Ukraina. Dhe ne e dimë se ka vetëm një zgjidhje, jo vetëm për Ukrainën, por për Evropën. Duhet që Rusia ta humbasë luftën dhe Ukraina ta fitojë këtë luftë. Përndryshe, Evropa duhet të përgatitet për konflikte të tjera në kontinentin tonë”, shprehet Donika Gërvalla-Schawarz, Ministre e Jashtme e Kosovës.
Gërvalla, e cila është gjithashtu edhe zëvendëskryeministre, tha se kombi i saj i vogël ballkanik, bëhet gjithmonë e më i vetëdijshëm për synimet agresive të Serbisë dhe aleatit të vet Rusisë.
Gjatë vizitës në së saj në Poloni ku mori pjesë në inaugurimin e konsullatës së Kosovës në Varshavë, Gërvalla foli edhe për vizitën e Presidentit të Kinës Xi Jinping në Beograd.
Sipas zyrtares së lartë të Kosovës vizita e liderit kinez tregon se Serbia e identifikon veten me kundërshtarët e demokracive perëndimore.
“Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë shtet kandidat i Bashkimit Evropian dhe të jesh përfaqësues i Rusisë në këto kohë kur Rusia i ka shpallur luftë jo vetëm Ukrainës, por edhe Perëndimit si të tillë”, vijon Donika Gërvalla-Schawarz, Ministre e Jashtme e Kosovës.
Gjatë vizitës së presidentit SHi Xhinpin në Beograd, Serbia dhe Kina folën për të ardhme të përbashkët, nënshkruan 29 marrëveshje dhe Vuçiç tha se kishte mbështetjen e plotë të Pekinit për Kosovën dhe çështjet e ngritura në OKB (A2 Televizion)