Policia e Kosovës ka pranuar informacionet për kërcënimet ndaj presidentes dhe është njoftuar prokurori i shtetit, për çfarë tashmë është iniciuar rast penal. Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për A2CNN .
“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është informuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal.”
Mbrëmë është bërë e ditur se në e-mailin zyrtar të Presidencës, një llogari e quajtur “Rrap Tap” e ka kërcënuar me jetë presidenten Vjosa Osmani.
Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, ka konfirmuar se e-maili është dërguar në adresën zyrtare të institucionit.
“Kërcënimi është dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës”, tha Kupina për A2CNN duke shtuar se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës edhe për dhjetëra kërcënime të tjera.
Ndërkaq, bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme, të qarta dhe specifike.
Sadriu ka shtuar se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.
Ai ka kritikuar edhe institucionet kompetente se s’është marrë asnjë veprim dhe asnjë përgjegjësi.
“Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim.
Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt. Sot është Presidentja. Nesër dikush tjetër? Rreziku është i qartë. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për veprim ka kaluar qëmoti”, ka shkruar Sadriu. (A2 Televizion)