Rama kryeministër, raportet me Kurtin dhe interesi i Kosovës

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 20:10 | Politikë

Rikonfirmimi i Edi Ramës për një tjetër mandat si kryeministër i Shqipërisë nuk pritet të ndryshojë asgjë në raport me Kosovën, sidomos nëse në Prishtinë, Albin Kurti arrin të marr votat për mandatin e tretë.

Sipas analistëve politikë, pavarësisht se gjatë katër viteve të kaluara pati marrëveshje dhe iniciativa mes dy vendeve, fakti që raportet mes dy kryeministrave shqiptarë ishte i ftohtë nuk i ka bërë nder asnjërit.

“Pres përsëri që ndërmjet këtyre dy liderëve të mos ketë raporte shumë në harmoni por që nuk do të thotë që do të mund të reflektohet edhe në raportet ndër shtetërore sepse kemi parë iniciativa të përbashkëta ndër shtetërore sidomos kjo e fundit që ishte, marrëveshja trilaterale për kornizën e përbashkët të sigurisë e mbrojtjes”, shprehet Afrim Kasolli

“Për Kosovën sigurisht që do t’i vazhdojë raportet kryeneçe jo vetëm për fajin e tij por edhe për vetë udhëheqësve të Kosovës në këtë rast të z. Kurtit sepse ne e dimë që Vuçiç çohet në mëngjes dhe flet me të gjithë liderët Trump, Xi Jinping e Putinin kurse Albin Kurti dhe Edi Rama çohen në mëngjes dhe nuk flasin me njëri-tjetrin”, deklaroi Arbnor Sadiku.

Organizimi i Komitetit Politik Europian në Tiranë së fundmi dhe i disa samiteve të tjera dhe afrimi i Ramës me disa prej liderëve të rëndësishëm europianë shihet në Prishtinë si një pozicionim i mirë i Shqipërisë në skenën politike europiane.

Për me tepër, analistët thonë se duhet shfrytëzuar si mundësi për të çuar përpara agjendat e Kosovës, sidomos ato që lidhen me integrimin e vendit në organizata të rëndësishme.

“Kosova do të duhej ta shfrytëzonte Ramën për këto agjenda veçanërisht për Këshillin e Europës dhe disa agjenda të tjera që është dashur të jetë pjesë e tyre Kosova e nuk është. Edi Rama ka mundur të jetë një lloj ure bashkëpunimi midis Kosovës dhe këtyre vendeve paçka nuk është shfrytëzuar”, shton Sadiku.

“Është e rëndësishme që të shfrytëzohet ky momentum pozitiv i Shqipërisë në aspektin rajonal sepse në Shqipëri janë mbajtur disa forume të tilla ndërkombëtare në mënyrë që të shtyhet sa më tepër agjenda e Kosovës në forumet ndërkombëtare sepse fatkeqësisht e mjerisht ne po e shohim që Kosova për shkak të kurthimit në procesin e dialogut me Serbinë ka mbetur goxha mbrapa edhe sa i përket agjendës integruese”, tha analisti Kasolli.

Partitë politike në Kosovë kanë akuzuar në vazhdimësi Albin Kurti se ka dëmtuar raportet me Shqipërinë për shkak të inateve të tij personale.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos