Zyra e kryeministrit të Kosovës ka reaguar lidhur me rrengun e dy komedianëve rusë ku ra pre pak ditë më parë shefi i qeverisë, Albin Kurti.
Përmes një deklarate, Zyra e kryeministrit shkruan se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe telefonata për rezultatin e zgjedhjeve.
Po ashtu në deklaratë thuhet se “ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë.”
Në përfundim deklarata e Zyrës së kryeministrit thotë se Albin Kurti gjatë asaj bisede ka mbajtur të njëjtat qëndrime me ato zyrtare, për çështje të ndryshme.
Kujtojmë se dy komedianët rusë, Vovan dhe Lexus, kanë organizuar një bisedë me Kurtin, duke e bërë atë të besojë se ishte duke folur me Presidentin e Letonisë, Edgar Rinkevics, shkruan A2 CNN.
Në videon e publikuar në Rumble, Kurti duket i çlirët në bisedën me atë që mendon se është Rinkevics, duke folur për gjithçka, nga Richard Grenell e deri te Milan Radoiadoiçiç.
Reagimi i Kryeministrisë së Kosovës:
Deklaratë e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me incidentin me telefonatën - prank call
Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private. (A2 Televizion)