Kuvendi i Kosovës dështoi ne 2 seanca sot në orën 10.00 dhe 14.00 që të zgjedhë Presidentin për shkak të mungesës së Opozitës në Sallë, LDK, PDK dhe AAK. Opozita ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e “lojës” së Albin Kurtit.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu bëri thirrje që të respektohet Kushtetuta, duke e shtyrë seancën në orën 19:00, ndërsa në mesnatë skadon afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese që deputetët duhet të zgjedhin kreun e ri të shtetit, shkruan A2 CNN.
Por në mungese të një marrëveshje politike edhe për emrin e Vjosa Osmanit të propozuar nga LDK, Kosova me të gjitha gjasat pritet të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeministri dhe kreu i VV, Albin Kurti do të dalë në një konferencë shtypi në orën 16.30. Një natë më parë Vetëvendosja tërhoqi dy kandidatët e saj Konjufca dhe Kollçaku dhe propozoi dy zonja, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, raporton A2 CNN.
Seanca në fakt është cilësuar antikushtetuese si edhe votimi i mbrëmshëm nga opozita, pasi në sallë në raundin e parë dhe të dytë duhet të jenë 80 deputetë, e mbrëmë ishin 64. Zonja Rushiti morri 63 vota, 1 ishte e pavlefshme, ndërsa zonja Hoxha nuk morri asnjë votë.
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Feride Rushiti, kandidates së propozuar nga VV-ja për presidente, të tërhiqet nga kandidatura e saj.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se ajo që po bën kryeministri Albin Kurti është lojë politike antikushtetuese.
(A2 Televizion)