Haxhiu: Dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe

Nga A2 CNN
10 Gusht 2025, 13:52 | Politikë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.

“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.

“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo.

Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.

Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.

Llaban mori vëmendje pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani - për shkak të Llabanit - e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.

Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.

Më herët, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ka ndonjë njohuri për pretendimet se Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës, apo nëse është person i kërkuar në Serbi.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos