Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për Kuvend Komunal për 37 komuna.
 
 Për shkak të një ankese ende të pashqyrtuar në Gjykatën Supreme, për komunën e Drenasit rezultati do të shpallet më vonë.
 
 Në bazë të këtyre rezultateve, në nivel vendi, Partia Demokratike ka marr më së shumti mandate në Kuvende Komunale me 206 këshilltarë, pas tyre është Lidhja Demokratike e Kosovës me 203 këshilltarë, e treta vjen Lëvizja Vetëvendosje me 177 këshilltarë lokalë ndërsa AAK me 98 këshilltarë.
 
 Ky rezultat mund të ndryshojë në varësi të ndonjë vendimi që mund të vijë për shkak të ndonjë ankese të mundshme nga kandidatët apo subjektet politike gjatë dy ditëve në vazhdim.
 
 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë në 35 komuna, duke i hapur rrugë kryetarëve të rinj të zgjedhur në raundin e parë që të marrin detyrën. 
 
 “Sa i përket KQZ rezultatet kanë qenë vetëm gati javën e dytë pas ditës së zgjedhjeve por për shkak të ankesave të shumta që ka pasur në PZAP dhe në Gjykatën Supreme e kemi pasur të pmaundur të bëjmë shpalljen e rezultateve”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar, KQZ.
 
 Raundi i parë i zgjedhjeve solli gjithashtu një numër të madh të lajmeve të rreme. Platforma për verifikimin e fakteve “Hibrid” prezantoi të dhënat e raportit të monitorimit të keqinformimit duke analizuar përmbajtjet e shpërndara në periudhën 13 shtator – 15 tetor 2025, shkruan A2 CNN.
 
 Në raport u përmendene dhe një numër i konsiderueshëm i sondazheve dhe exit-polleve të rreme në rrjete sociale të cilat janë shpërndarë edhe në ditën e votimit.
 
 “Kategoria më e përdorur për dezinformatë ka qenë lajmi i rremë, duke përfshirë 81 për qind të përmbajtjes ose 30 prej 37 sa kanë qenë në gjuhën shqipe. Kjo dominancë e lajmeve të rreme tregon se një përqindje shumë e madhe e këtyre përmbajtjeve ka qenë tërësisht e fabrikuar. Dezinformatat, manipulimi i fakteve dhe teoritë konspirative kanë qenë në përqindje më të vogël”, u shpreh Fatbardh Dema, platforma “Hibrid”. 
 
 “Audienca në raundin e dytë për balotazh, sondazhet që i shohin në mediat sociale, mos t’i marrin për bazë gjatë krijimit të një përshtypjeje se për kënd të votojnë pasi ato janë të rreme dhe të sajuara”, tha Festim Rizanaj, platforma “Hibrid”. 
 
 Raporti përmendi edhe narrativat e mediave serbe dhe ruse që janë përpjekur t’i paraqesin zgjedhjet në Kosovë si jodemokratike dhe që pretendonin se po bëhen në kushte jo të përshtatshme, sidomos për komunitetin serb. (A2 Televizion)
KQZ shpall rezultatet, PDK, forcë e parë në kuvende komunale në Kosovë
                                          
                                      
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   