Kreu i AAK-së, Haradinaj: Të habitshme arrestimet e speciales në këtë kohë

Nga Ideal Gola
5 Dhjetor 2024, 20:44 | Politikë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të habitshme bastisjet dhe arrestimet e Dhomave të Specializuara gjatë së enjtes në Kosovë.

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Inteligjencës e më pas këshilltari i Thaçit, Bashkim Smakaj, si dhe vëllai i dy heronjve Fazli e Bahri Fazliu, Fadili u arrestuan me dyshimet për pengim të drejtësisë.

Haradinaj, ish-Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, tha se arrestimet po ndodhin në një kohë kur pritet të mbyllet edhe çështja e Thaçit dhe të tjerëve.

“Proceset gjyqësore atje janë veç në një fazë të avancuar sikurse dihet prokuroria është afër për të përmbyllur rastin, mendohet se në disa muaj ta mbyllin, e habitshme që në këtë etapë të procesit me ndodh këto veprime”, u shpreh Haradinaj

Përpos sqarimeve që mund të kërkojë për secilin person të ndaluar, Haradinaj thotë se shteti i Kosovës nuk ka asnjë mundësi ligjore për ndonjë veprim.

“Kur ata vlerësojnë që ka pengim të drejtësisë ose ndërhyrje, me thënë të drejtën në aspektin ligjor e kemi gati të pamundur të ndërmarrim ndonjë veprim çfarëdo qoftë që është ndikues. Ne mund të bëjmë reagime, mund të shprehim pakënaqësi por në aspektin ligjor jemi të pafuqishëm”, tha kreu i AAK.

Ish-kryeministri i Kosovës u shpreh se arsye që ai dhe partia e tij kishin votuar kundër Gjykatës Speciale ishte pikërisht mungesa e mbikëqyrjes.

“Në atë kohë kësaj gjykate i është dhënë fuqi mbi ligjin e Kosovës dhe mbi Gjykatën tonë Kushtetuese pra nuk e kemi një instancë me të cilën ndo të mund t’i kontestojmë këto veprime”, u shpreh Haradinaj.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Isni Kilaj ishte arrestuar për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar me dyshimet për pengim të drejtësisë por ishte liruar në maj të këtij viti pasi pagoi një dorëzani prej 30 mijë eurosh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos