Kreu i PDK reagon pas publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 16:31 | Politikë

Kreu i PDK reagon pas publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese që pritet t'i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar edhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi. Në një psotim në rrjetet sociale, Krasniqi ia faturon përgjegjësinë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që sipas tij ka vepruar në mënyrë antikushtetuese.

“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit - me votim të hapur.

Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime”, shkruan Krasniqi në rrjetet sociale.

Ai i bën thirrje kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, përfundon ai.

Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe “rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos