"Unë si Adem Jashari"- Takoi Gjuriç në Beograd, Spahiu zbulon në A2 CNN arsyet dhe njohjen me ministrin serb

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 21:03 | Politikë

Analisti Nexhmedin Spahiu ka zbuluar arsyet se përse është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Në një intervistë në ‘Ditari Kosova’ me gazetarin Xhevahir Qardaku në A2 CNN, Spahiu tha se motivet për të cilat ai takoi Gjuriç janë motive patriotike, të njëjta si motivet që çuan Adem Jasharin të luftonte për lirinë e Kosovës.

Ai tregoi gjithashtu se me Gjuriç njihet që prej 10 vitesh, kur ishin takuar në një konferencë të organizuar nga vetë Spahiu në Mitrovicë, ku sipas tij, kishin marrë pjesë krerët e shtetit të Kosovës dhe ambasadorë të huaj.

Spahiu tha gjithashtu se takimin me Gjuriç e zhvilloi pasi sipas tij, Kosova ka nevojë për ecjen e dialogut me Serbinë, njohjen nga Beogradi dhe heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Europian.

Pra, me pak fjalë, Spahiu deklaroi se shkoi në Beograd për të takuar Gjuriç për të mirën e Kosovës dhe sipas tij, ai është përgëzuar edhe nga ndërkombëtarët për këtë takim.

“Të pyesësh pse u takova me Gjuriç, është sikur të pyesësh Adem Jasharin se përse luftoi dhe sakrifikoi për Kosovën. Çfarë e shtyu, cili është motivi patriotik. Vullneti për të kontribuar për Kosovën, për atë ç’ka i duhet më së shumti në këtë moment Kosovës.

Nëse në kohën kur ka luftuar Adem Jashari i është dashur kryengritja, lufta e armatosur, tani Kosovës i duhet shpërthimi i bllokadës, ecja drejt dialogut, njohjes nga ana e Serbisë, kjo është ajo çfarë i duhet Kosovës.

Unë nuk kam thënë që jemi miq, kam thënë që njihemi që prej 10 vitesh. Unë në Mitrovicë para 10 vitesh kam organizuar një konferencë ku kanë marrë pjesë krejt krerët e shtetit dhe 7 ambasadorë.

Aty ka marrë pjesë edhe Gjuriç dhe gjithë serbët më të njohur në skenën politike të Kosovës. Kjo konferencë eci me sukses. Unë mbaj kontakt me shumë liderë dhe politikanë të rajonit”, tha Spahiu, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos