Kryeministri Albin Kurti kërkoi që shtetasi Faton Hajrizi, i cili u qëllua për vdekje në Serbi pasi paraprakisht kishte vrarë një e plagosur një tjetër efektiv policie serb, të mos bëhet hero. Pasi Kosova pranoi në rrugë zyrtare konfirmimin se personi i vrarë në Lloznicë ishte Faton Hajrizi, Kurti tha se kërkohet një hetim vendor e ndërkombëtar për rrethanat e vdekjes së personit i cili ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës disa ditë para se të vritej.
Sipas Kurtit, patriotë të Kosovës janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë: “Sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri të vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkohë, i ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit”.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, Kurti pati kritika për prokurorinë e cila për dy ditë radhazi intervistoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun në lidhje me disa deklarime publike të saj: “Në Kosovë, nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiçit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij paramilitar nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiçi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj. Por, nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook”.
Në fjalën e tij, Kurti foli edhe për vendimin e 14 viteve më parë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ai tha se fuqizimi i shtetit të Kosovës dhe shtetësisë së tij në arenën ndërkombëtare kërkon kohë, mund, përkushtim dhe guxim. (A2 Televizion)