
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë thirrje deputetëve të saj që ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.
Sipas një deklarate të lëshuar nga LDK-ja pas mbledhjes së kryesisë të mbajtur sot, nominimi i Sejdiut është mbështetur “me unianimitet të plotë”.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në deklaratë.
Sipas vendimeve të Kuvendit partiak të LDK-së, të mbajtur në fund të korrikut, thuhej se të gjithë anëtarët, zyrtarët dhe të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së, “obligohen t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e miratuara nga organet” kompetente të partisë, përcjell A2.
Aty po ashtu thuhet se organet partiake duhet të sigurohen që vendimet do të zbatohen dhe kur është e nevojshme “të ndërmarrin masa statutare ndaj shkelësve”.
Thirrja e kryesisë së LDK-së që të mbështetet Sejdiu vjen një ditë pasi deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, publikisht deklaroi se nuk do ta mbështesë Sejdiun për postin e presidentit, pasi ai u prezantua si kandidat i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së për president.
LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut përfaqëson “qëndrimin zyrtar dhe institucional të LDK-së” dhe është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së.
Para mbledhjes së kryesisë, Jehona Lushaku Sadriu, tha se në takim përveç çështjes së presidentit, do të diskutohet edhe për konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve "sa më shpejt që të jetë e mundur".
E pyetur nëse partia është marrë vesh paraprakisht për emrin e Sejdiut, ajo tha se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ekipi negociues kanë pasur autorizimin për të negociuar në emër të partisë për emrin e kandidatit.
Më vonë gjatë ditës, Grupi Parlamentar i LDK-së po ashtu do të diskutojë për çështjen e kandidimit të Sejdiut.
Ndërkaq, edhe Lëvizja Vetëvendosje mbrëmjen e sotme do të ketë diskutime partiake për marrëveshjen e arritur me LDK-në për çështjen e presidentit, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota.
Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut./ REL (A2 Televizion)