Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i ka siguruar 61 vota për formimin e Qeverisë së re. Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kohë deri të dielën për votimin e kabinetit të ri qeveritar.
Prej të hënës, kjo e drejtë mund t’i kalojë dikujt tjetër që mund t’i garantojë presidentes Vjosa Osmani se ka 61 vota në Kuvend.
Përkundër premtimeve se mund të ketë bisedime, publikisht nuk ka pasur ndonjë takim të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me ndonjë nga përfaqësuesit të partive të tjera.
“Në bazë të veprimeve publike të mandatarit për formimin e Qeverisë, përkatësisht fituesit të zgjedhjeve, liderit të Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti nuk duket që ka indikacione në drejtim të sigurimit të ndonjë koalicioni për t'i bërë numrat 61 që janë minimumi të domosdoshëm për formimin e qeverisë madje prej kohës kur e mori mandatin nga presidentja për ta kryer këtë detyrë kushtetuese politike, pjesën më të madhe të kohës Albin Kurti e ka kaluar jashtë vendit”, shprehet analisti Kasolli.
Kurti duket më i interesuar për zgjedhje të jashtëzakonshme, pavarësisht se tha se do të përpiqet deri të dielën për ndonjë marrëveshje.
“Duke u bazuar edhe në votimet e fillimisht të kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit nga minoriteti serb është parë që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat e mjaftueshëm për t’i siguruar këto pozita e logjikisht nuk i ka numrat as për Qeverinë e Kosovës mirëpo e kemi parë totalisht indiferent ndaj kësaj situate mbase është më i interesuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme se sa për formim të ndonjë qeverie” , shton analisti.
Më herët ishte artikuluar edhe ideja e një qeverie të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Mirëpo dallimet mes dy partive më të mëdha në këtë bllok PDK dhe LDK duket se kanë zbehur mundësinë që të ketë një mandatar të dytë nëse Kurti nuk ka numrat deri të dielën.
“Shihet që edhe ata janë në një pozitë të palakmushme politike, kanë mosmarrëveshje të brendshme, nuk duket që kanë ndonjë qëndrim harmonik se do të ishin në gjendje ta linin në opozitë Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta krijonin një ekzekutiv pa pjesëmarrjen e saj”, thotë Krasniqi.
Dështimi për të votuar Qeverinë do të çojë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas llogaritjeve në bazë edhe të afateve, zgjedhjet e reja parlamentare do të mund të mbahen në mesin e muajit dhjetor. (A2 Televizion)
Kurti ka afat deri të dielën, askush nuk i ka 61 vota për qeverinë e re
