Kurti s’e përshëndet Osmanin, Kosova nderon familjen Jashari mes tensioneve politike

Nga Ideal Gola
5 Mars 2026, 19:12 | Politikë

Kosova po shënon 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën heroike të familjes Jashari. Megjithatë, kjo datë e rëndësishme erdhi në një moment tensioni politik ku çështja e presidentit nuk ka gjetur zgjidhje.

Përplasja e fundit mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u duk edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në të cilën mungoi një përshëndetje mes dy liderëve.

Në fjalimet e Osmanit dhe Kurtit u nderua figura e komandantit legjendar Adem Jashari dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot kur përmendim emrin e Adem Jasharit, komandantit legjendar, dhe gjithë familjes Jashari kemi në mendje frymën dhe thirrjen që na kujton se liria asnjëherë nuk është dhuratë, por është sakrificë. Shteti është përgjegjësi, dhe flamuri që e personifikon atë është amanet”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.

“Toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit, Adem Jashari e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kurti tentoi të zgjidhte për president Murat Jasharin, të birin e Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, por ai nuk pranoi.

Kjo u përmend edhe në seancë si një veprim që kërkon të respektohet.

“Në këtë përvjetor të 28 me respektimin më të madh për qëndrimin e familjes Jashari dhe për vendosmërinë e tyre për të qëndruar mbi çdo interes politik, njerëzor, ju themi familjes Jashari se është më e madhe se çdo post politik”, u shpreh Bedri Hamza, PDK

“Adem Jashari, para së gjithash një njeri i një vendi të shtypur, ishte një njeri i një toke jo të lirë, i një shtëpie shumë fisnike dhe i një familjeje me një kujtesë të trashëguar. Në botën e përditshmërisë së tij, aty ku rrëfimet për qëndresën e brezave të mëparshëm përziheshin me jetën e përditshme të brezit të tij, historia nuk ishte diçka e largët”, tha Lumir Abdixhiku, LDK.

Në nderim të manifestimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës rreshtoi kuadratet e saj në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Edhe Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje solemne. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe për dy ditë të tjera në Prekaz dhe në të gjitha komunat e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos