Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga minoriteti joserb “nuk mund të anulohet”, teksa vendi pret aktgjykimin e plotë të gjykatës më të lartë në lidhje me votimin për nënkryetarët e organit ligjvënës.
Gjykata Kushtetuese njoftoi më 30 shtator përmes një vendimi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende dhe se ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
I pyetur nga gazetarët gjatë një ngjarjeje në Prishtinë lidhur me vendimin e gjykatës, Kurti – i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje gjithashtu- tha se “duhet ta shohim aktgjykimin në mënyrë të plotë për ta dhënë vlerësimin tonë”.
Por, ai shtoi se “është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilija Rexhepin”.
“Askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb. Emilija Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilija Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb”, theksoi Kurti.
Gjykata Kushtetuese nuk e ka publikuar ende aktgjykimin e plotë të 30 shtatorit dhe asaj zakonisht i duhet rreth një javë për ta bërë këtë.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit nga pakica joserbe në një votim ndaras nga pakica serbe në gusht, pavarësisht se në të kaluarën ishin votuar gjithmonë në një pako.
Derisa Rexhepi i mori votat e nevojshme, kandidati i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nuk i mori votat, siç nuk i morën as kandidatët e tjerë të kësaj partie të hedhur në votim me short nga kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.
Kjo bëri që Lista Serbe të ankohej në Kushtetuese për veprimin Bashës, i cili, më vonë, e shpalli njëanshëm të konstituuar Kuvendin, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.
Gjykata Kushtetuese theksoi gjithashtu se, seanca e nisur më 15 prill, duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri pas zgjedhjeve të shkurtit, e ka futur vendin në krizë politike.
Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.
Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend, duke i lënë prapa Partinë Demokratike të Kosovës me 24 ulëse, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t'i formojë sa më shpejt institucionet e reja./REL (A2 Televizion)