Në Danimarkë po mbahet samiti i Komunitetit Politik Europian. Tema kryesore është natyrisht kërcënimi që vjen nga Rusia, me provokimet e fundit që janë shënuar në shumë vende të kahut lindor të Europës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj për gazetarët në nisje të punimeve akuzoi jo vetëm Moskën, por edhe Serbinë që vepron me urdhra të Putinit për të destabilizuar jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu edhe Europën.
“Dua të përgëzoj Danimarkën për organizimin e një samiti kaq të rëndësishëm, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë që po vijnë kundër të gjithë Europës nga Rusia. Padyshim, kjo do të jetë një tjetër mundësi e shkëlqyer për ne për të diskutuar se si t'i trajtojmë kërcënime të tilla me të gjithë anëtarët, jo vetëm brenda Bashkimit Europian, por edhe ata prej nesh që janë jashtë Bashkimit Europian, por që aspirojnë të bashkohen dhe të kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të Europës.
Megjithatë, duhet të shtoj se vetëm uniteti nuk është i mjaftueshëm. Ekziston një domosdoshmëri e vazhdueshme edhe për qëndrueshmëri në trajtimin e agresorëve dhe diktatorëve. Aktualisht ka dy kërcënime kryesore të sigurisë që vijnë kundër vendeve tona, që vijnë nga Rusia, padyshim. Kërcënimi tjetër, veçanërisht në rajonin tonë, vjen nga përfaqësuesi i Rusisë, zgjatimi i Rusisë në rajonin tonë, që është Serbia.
Dhe mendoj se, sigurisht, Bashkimi Europian ka një qëndrueshmëri të nevojshme në trajtimin e të dy këtyre agresorëve, sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe si diktator dhe tjetrin si partner drejt paqes”, tha presidentja Osmani. (A2 Televizion)