Kush përdor dinar ndëshkohet, Kurti: Ligjshmëri dhe jo dënim, në 15 maj takimi i ri në Bruksel

Nga Rosalba Bejdo
13 Maj 2024, 20:11 | Politikë

Nga e diela, euro është e monedha e vetme për transaksione në Kosovë. Periudha tranzitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar dhe tani e tutje për të gjithë ata që përdorin dinarin do të ketë masa ndëshkuese. Sakaq, bankat tregtare qe operojnë në Kosovë janë udhëzuar të hapin degë të reja në veri. Në një deklaratë, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se rregullorja nuk ka për qëllim ndëshkimin dhe dënimin.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët qëndrojnë më lart se ne dhe prijnë në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, tha Albin Kurti Kryeministër i Kosovës.

E teksa periudha e tranzicionit ka përfunduar, Brukseli, që deri më tani nuk ka ndërmjetësuar dot një zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët, thërret takimin e radhës. Zëdhënësi Peter Stano, konfirmoi se më 15 maj, Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e 7 për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit.

“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët po përpiqen të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’i ndihmojë ata që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”.

Më herët, Stano kishte deklaruar se takimi i 15majit do të ishte i fundit, e megjithatë kur u pyet të hënën ai deklaroi se kjo do të varet nga gatishmëria e palëve për të gjetur zgjidhje. Zëdhënësi i KE kujtoi se prioritet mbetet  zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos