Kandidatja për postin e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë për mediat se votimi që do të përcaktojë kryetarin e ri të kuvendit duhet të jetë i fshehtë. Haxhiu, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit tha para mediave se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është i ditur sa i përket propozimit për kryeparlamentar, shkruan A2 CNN.
“Unë nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Siç e kemi thënë në vazhdimësi, të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka LVV-ja. Lëvizja Vetëvendosje tashmë është përcaktuar për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, pra të votojnë komisionin për votimin e fshehur, qoftë për, qoftë kundër, qoftë të abstenojnë. Por jo të vijnë në Kuvendin e Kosovës dhe të mos marrin fare pjesë në votim. Pra, këtu shtrohet pyetja se për çka po vijnë, në qoftë se vijnë dhe nuk votojnë atëherë as nuk janë duke kryer detyrën e deputetit, sepse siç e dini aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon nga të gjithë që të jenë të pranishëm, të marrin pjesë në votim dhe të votojnë për, kundër apo abstenim”.
Ajo tha se Nismën Socialdemokrate e shohin si partner, teksa shtoi se po vazhdojnë diskutimet për këtë qëllim. “Ne po ashtu kemi theksuar që i shohim si partnerë tanë, për këtë ka pasur disa takime siç ka njoftuar edhe kryeministri Kurti, diskutimet vazhdojnë për këtë qëllim dhe urojmë që sa më parë të përmbyllen. Por para qeverisë është kuvendi, pra është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, kemi shumë punë për të bërë, kemi shumë plane në Qeverinë Kurti 3”.
Haxhiu u pyet nga mediat edhe sa i përket bastisjeve që po zhvillohen sot në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqesisë, ku Haxhiu tha se “nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka pasur ndërhyrje nga ministri Peci”.
“Unë jam shumë e bindur që ministri [Faton] Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ministri Peci. Ne e kemi pasur rastin që të diskutojmë edhe para disa ditëve edhe sot për këtë çështje, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur gjithë këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti. Nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka asnjë ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që do të ftohet nga institucionet”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu edhe një herë u pyet se si do të paguhen për muajin maj, për çka tha se “ne kemi dhënë përgjigjen për këtë, do të paguhemi si ministra”. (A2 Televizion)