Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë kontratën për impiantin e mbetjeve shtazore.
Kjo parti ka ngritur shqetësimin për “skandal milionësh në Ministrinë e Bujqësisë”, duke thënë se ministri Faton Peci ka tejkaluar të gjitha procedurat dhe ligjet.
Në një dalje për mediat, anëtari i kryesisë së PDK-së, Naim Ismajli tha se pa një ankand publik është dhënë prona publike me qira një kompanie për 20 vjet.
Sipas Ismajlit, kompania përfituese është regjistruar vetëm 5 ditë pas shpalljes dhe nuk përmbushë asnjë nga kriteret ligjore për përvojën teknike dhe financiare të kërkuar në dokumentin e njoftimit, si dhe pronari i saj është i lidhur me tri kompani të tjera pa ndonjë përvojë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.
PDK-ja kërkon nga organet kompetente hetimin e ministrit Peci dhe zyrtarëve të AUV-it për përfshirje në keqpërdorim detyre dhe shpërdorim të pasurisë publike, si dhe shfuqizimin e menjëhershëm të kontratës dhe kthimin e pronës publike nën administrim të ligjshëm. (A2 Televizion)