Lista Serbe në rregull “me letra”, certifikimi pritet së shpejti, LVV nuk e ankimon në Supreme

Nga Ideal Gola
26 Dhjetor 2024, 20:07 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kërkon certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9shkurtit.

KQZ po pret që të konsumohen afatet për ankesa ndaj këtij vendimi përpara se të rikthejë këtë çështje për diskutim.

“Në fund të këtij vendimi thuhet se mund të ketë proces ankimor ndaj vendimit të PZAP-it në afat prej 48 orëve në Gjykatën Supreme andaj KQZ do të presë zhvillimin e këtyre procedurave ligjore para se çështja të hyjë në rend të ditës në mbledhjen e KQZ-së”, tha zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhje me arsyetimin se ky subjekt ka nxitur dhe udhëhequr sulmet terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, policisë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Megjithatë, Kurteshi për A2 CNN deklaroi se nuk do të ankimojnë vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme pasi e pranojnë se rezultati do të jetë i njëjtë dhe do t’i jepet e drejtë Listës Serbe.

Ai tha se vendimi i PZAP nuk është i plotë dhe nuk merren parasysh argumentet e tyre por vetëm nëse janë mirë në aspektin formal.

“Të dy këto shkallë thirren në aspektin formal, me letra është në rregull, të tjerat gjëra nuk i shohin, nuk guxojnë t’i shohin, aty s’ka kurrgjë, a ka gjoba prej PZAP, a ka gjoba prej gjykatës, mos ka ndonjë ndalesë prej ndonjë gjykate, mos është i dënuar për vepër penale”, tha anëtari i KQZ nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Kurteshi insistoi se gjuha e kandidatëve të Listës Serbe është në kundërshtim me kushtetutën kur i referohet “Kosova dhe Metohija” por që të njëjtit janë të punësuar edhe në strukturat paralele.

“Shumica e kandidatëve të tashëm të Listës Serbe janë të punësuar, punojnë paralelisht në institucionet e ashtuquajtura paralele të Republikës së Serbisë në Kosovë që janë të ndaluara me ligj, të gjitha, por ato s'i shikon as PZAP as KQZ sepse konsideron se nuk është pjesë e ligjit ajo, pjesë e rregulloreve, pastaj ata letë punojnë ku të duan.”

Kurteshi tha se kurdo që çështja e certifikimit të Listës Serbe të jetë pjesë e agjendës së KQZ-së, të dy anëtarët e LVV-së do të votojnë sërish kundër.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos