Masa ndaj produkteve serbe, a mundet që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit?

Nga Ideal Gola
18 Shtator 2024, 20:07 | Politikë

Kosova së fundmi është përballur me kërcënime për përjashtim nga Procesi i Berlinit. Ky paralajmërim erdhi nga Gjermania përmes emisarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në të vërtetë përjashtimi për Kosovën është paralajmëruar si pasojë në rast se Prishtina zyrtare nuk pranon një ofertë. 

Kosovës iu kërkua që të largonte masën e ndalimit për produktet serbe, të vendosur në qershor të vitit të kaluar pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë në veri, dhe Kosova të përfaqësonte veten me fusnotë në CEFTA, dhe jo siç është bërë deri më tani me UNMIK, me qëllim që të zhbllokohet vendimmarrja në këtë organizatë.

Nga pushteti besojnë se Kosova nuk mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, ndërsa njohësit theksojnë vlerën që ka ky mekanizëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Jeta Statovci, deputete e Listës Guxo, shprehet për A2 CNN: “Procesi i Berlinit është shumë më i gjerë se aq, ka të bëjë edhe me aspekte të cilat e mundësojnë një vlerë, një jetë demokratike, një jetë të vlerave evropiane, por që atë të cilët i kemi fqinj të veriut në një anë apo tjetër po e pamundësojnë”.

Ndërsa politologu Fidan Ukaj theksoi: “Duhet të jemi pjesë edhe e CEFTA-s, edhe e takimeve të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, sepse ka edhe impakt ekonomik dhe ky impakt i përmbush boshllëqet e vendeve të rajonit ku ato çalojnë në përmbushjen e kritereve dhe standardeve në rrugën e tyre për në BE dhe asesi nuk duhet të lejohet të distancohet apo të mbetet jashtë Procesit të Berlinit dhe CEFTA-s”.

Qeveria do të tentojë ta negociojë këtë çështje deri në datën kur pritet të mbahet takimi i liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit në mes të muajit të ardhshëm, mirëpo këmbëngulin se masa ndaj produkteve serbe është masë sigurie dhe jo ekonomike apo tregtare. 

“Tash besoj që është e Qeverisë që së bashku me organet e sigurisë përsëri të shoh parametra eventualë të cilët i vlerësojnë si është niveli potencial i sigurisë, konform kësaj mase dhe çfarë impakti mund të ketë në sigurinë e brendshme”, deklaroi Statovci.

Ukaj nënvizoi: “Masa që është vendosur më herët për produktet serbe mendoj se tanimë e ka arritur efektin vet dhe ky insistimi i faktorit ndërkombëtar ta largojë këtë masë ne duhet ta dëgjojmë faktorin ndërkombëtar, të jemi pjesë e inciativae rajonale dhe ideve siç është Procesi i Berlinit”.

Aktualisht, nga Serbia në Kosovë hyjnë vetëm lëndë e parë dhe gjysmë produkte të nevojshme për prodhimin final.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos