“Për urën flitet me aleatët, jo Serbinë”, Osmani i kërkon llogari Bislimit, opozita: Qeveria s’ka transparencë

Nga Tomorr Avdia
18 Shtator 2024, 20:01 | Politikë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk i kurseu kritikat për qasjen e Brukselit ndaj dialogut, por edhe ndaj qeverisë Kurti. Ajo i kërkon llogari kryenegociatorit Besnik Bislimi të tregojë se për çfarë temash është dakordësuar me të dërguarin e BE për dialogun Miroslav Lajçak, transmeton A2.

Sipas Osmanit, nëse dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë do të shkelej sovraniteti dhe kushtetuta e Kosovës. Ky reagim i presidentes, sipas kryetares së komisionit për integrime në BE Rrëzarta Krasniqi tregon se qeveria dhe presidenca kanë mosmarrëveshje për dialogun, dhe se qeveria nuk ka qenë transparente.

Nënkryetari i Komisionit për Integrime në BE, Agon Batusha i Vetëvendosjes, thekson se ajo e urës, është një çështje e brendshme dhe të gjitha hapat e bërë nga qeveria janë në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel në vitin 2015, raporton A2.

Komisioni për Integrim në BE, sipas kryetares Krasniqi ka nisur një kërkesë për zëvëndëskryeministrin Bislimi për të raportuar, lidhur me takimin e zhvilluar të martën në Bruksel. Nga ky raportim pritet të zbardhën më shumë detaje, mes të cilave nëse u tentua si nga Serbia dhe Lajçaku që tema e Urës së Ibrit të rikthehet në tavolinën diplomatike të Brukselit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos