Mesazhi i Presidentes Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen dypartiake amerikane

Nga Tomorr Avdia
5 Nëntor 2024, 13:49 | Politikë

Mesazhi i Presidentes Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen dypartiake

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahje bipartizane në SHBA, si me demokratët, ashtu edhe me republikanët.

Osmani nënvizoi se Amerika është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.

"Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen e jashtëzakonshme amerikane të të gjitha partive. Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë, në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë, në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjidhet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas zgjedhjeve”, tha Vjosa Osmani.

Miliona amerikanë sot shkojnë drejt qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale, derisa llogaritet një garë e ngushtë mes zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.

Sot është dita e vendimit në betejën e Amerikës për Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit. Derisa, rezultatet mund të duhen ditë ose javë për t’u numëruar. Kurse, rezultatet fillestare në orët pas mbylljes së votimit mund të mos jenë përcaktuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos