Aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese ka lënë sërish hapësirë partive parlamentare që të zvarrisin konstituimin e Kuvendit të Kosovës të nisur më 15 prill.
Njohësit thonë se aktgjykimi në disa elemente ka qartësuar disa aspekte, si fatin e konstituuimit të Kuvendit dhe çështjen e votimit në pako ose jo. Gjithashtu, ka konfirmuar afatin e mbetur 12 ditor për të mbyllur seancën.
Mirëpo ende ka disa dilema që mund të çojnë në ndonjë bllokadë të re e që lidhen kryesisht me mungesën e një limiti se deri ku mund të shkojë propozimi i një kandidaturë për nënkryetar.
“Në arsyetim në paragrafin 153, gjykata thekson se votimi deri në tri herë nuk është në vetvete pengesë që brenda afatit 30 ditor të konstituohet Kuvendi i bie që të mund të jetë mundësia që deputetët e shumicës serbe në Kuvend ta propozojnë vazhdimisht një kandidat, unë besoj që kjo situatë nuk është parandaluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, por është lejuar mes rreshtave dhe indirekt është lejuar që të kemi ripërsëritje të kandidaturave të votuara”, tha Vullnet Bugaqku.
Sipas këtij vendimi, shumica shqiptare duke mos votuar është bërë pengesë në konstituuimin e Kuvendit të Kosovës.
Dilema ende ka edhe për faktin se çfarë ndodhë në rast se kalon afati 12 ditor pa ndryshuar situata.
“Kjo është një pyetje që gjykata duhet t’i jap përgjigje sepse nuk ka kuptim të konstatojë afate, të konstatojë urdhra për të konstituuar Kuvendin duke u thirr ne parimin e respektimit të rendit kushtetues dhe votimin në kuadër të interesit më të mirë të Republikës dhe në fund këta deputetë nuk e zbatojnë këtë aktgjykim as kushtetutën dhe cilat janë masat sepse juridikisht nuk ka afat pa sanksione, por nëse nuk respektohet një afat çfarëdo lloj procesi duhet të ketë një masë, një sanksion”, shtoi Vullnet Bugaqku.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati dërguar kërkesë në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me faktin se di duhet të veprojë ajo në rast se Kuvendi nuk konstituuohet brenda afatit.
Përkundër se ajo e tërhoqi kërkesën, Kushtetuesja mund ta trajtojë të njëjtën, por nuk është deklaruar nëse e ka konsideruar të pranueshme të njëjtën. (A2 Televizion)
Moskonstituimi i Kuvendit, Kushtetuesja lë mundësi për zvarritje të tjera
