Organizata dhe politikanë opozitarë serbë në Kosovë paralajmëruan se pjesëtarë të këtij komuniteti do të shkojnë në Beograd javën e ardhshme, për të krijuar një “mur njerëzor” përballë Presidencës së Republikës së Serbisë dhe për të “mbrojtur” presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, nga një revolucion me ngjyra, siç thanë.
Që synimi për të “mbrojtur” presidentin të jetë i suksesshëm, thuhet se nuk mund të përjashtohen as incidentet. Organizatat dhe politikanët opozitarë serbë pretendojnë se pas këtij organizimi, qëndron Lista Serbe - partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit dhe të vetë presidentit serb, Vuçiç. (A2 Televizion)