Gjykata Kushtetuese tashmë ka pranuar dy kërkesa të reja në lidhje me ngërçin e krijuar me mungesën e konstituuimit të Kuvendit të Kosovës.
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë dorëzuar kërkesat e tyre për intepretim në lidhje me vijimin e seancës.
Pritet që këtë ta bëjë edhe Lëvizja Vetëvendosje, e nëse nuk ka ndonjë zhvillim të ri deri në fund të muajit, edhe presidentja Vjosa Osmani.
Këto kërkesa kanë ngritur shqetësime nëse mund të ketë zvarritje të mëtutjeshme në konstituimin e Kuvendit, por njohësit e mohojnë një gjë të tillë duke thënë se gjykata mund të bashkojë lëndët.
“Gjykata mund ta bashkojë lëndën në një të vetme dhe të sqarojë dhe t’i kthejë përgjigje secilës palë sipas sqarimit me seancë dëgjimore. Një praktikë e tillë nuk është e shëndetshme për demokracinë edhe për sundimin e ligjit sepse aktgjykimi e tregon qartë rrugën drejt konstituuimit të Kuvendit por meqenëse ka parti politike të cilat e interpretojnë në mënyrë të njëanshme dhe disa në mënyrë të shtrembër atëherë në rregull që të kërkohet një sqarim i tillë”, tha Naim Jakaj
Për shoqërinë civile aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, duhet t’i rikthehet votimit të hapur.
“Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të kushtetutës, të rregullores së Kuvendit dhe të praktikave të deritanishme. Cilat janë këto praktika: Me votim të hapur, pa komision për votim të fshehtë dhe kjo po besoj që përmes këtij aktgkjykimi ka arritur të sqarohet në mënyrë të përpiktë”, shton Jakaj.
Lëvizja Vetëvendosje pretendon se votimi i fshehtë nuk është përjashtuar në aktgjykimin e Kushtetutës dhe deputetët e ish-opozitës po bëjnë shkelje duke mos marr pjesë në votim për ngritjen e komisionit. (A2 Televizion)
Ngërçi sërish në gjykatë, nga salla e kuvendit në dyert e Kushtetueses
